
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja ka deklaruar se fenomeni i korrupsionit është i përhapur në të gjitha fushat.
Ai është duke raportuar në Këshillin e Integrimit Europian dhe i pyetur nga deputetët deklaroi se pastrimi i parave dhe korrupsioni janë fenomene që hasen shpesh.
Nga ana tjetër ai tha se janë dhjetra dosje nën hetim, përfshirë dhe zyrtarë të lartë. Sipas tij, hetimi i zyrtarëve të lartë është prioritet kryesor.
“Nga perceptimi ynë si profesionist, nga ajo që shohim ne përditë padyshim që ka korrupsion, në gjithë fushat e ne te gjitha strukturat, ka pastrim parash.
Janë fenomene që e shoqërojnë shoqërinë shqiptare për një kohë të gjatë e padiskutim që duhet punë e madhe për t’i luftuar dhe duhet një koordinim i gjithanshëm se nuk mund të bëhet as nga një strukturë apo dy, por nga gjithë shoqëria por secili duke zbatuar detyrat që i ngarkon ligji.
Ne si SPAK kemi pasur prioritet të paktën pjesën e hetimit përveç krimit të organizuar, por edhe korrupsionin, zyrtarët e nivelit të lartë, pastrimin e parave. Ne raportin vjetor ka shifra konkrete të numrit të dënimeve që janë rritur, e janë në rritje në mënyrë të vazhdueshme”, tha Kraja.
Gjithashtu Kraja i pyetur për Kompleksin Partizani dhe dosjet e tjera në hetim, tha se nuk mund të japë përgjigje. “Çështjet janë shumë komplekse, kuptohet që ka disa prioritete që t’i vendos vetë ligji. Secili prokuror i vendos vetes prioritete në raport me dosjen që ka”, tha ai.
Sipas tij, sa i takon hetimeve që lidhen me fondet publike, Kraja deklaroi se ata kërkojnë ndihmë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
“Unë do të ndihemi i qetë kur situatë të sqarohet, të bëhen hetimet e nevojshme dhe pastaj të merret një vendim. Nuk është se ka diferencime në një drejtim apo drejtim tjetër. Në çështjen që kemi në hetim që lidhen me fondet publike ne kërkojmë informacione nga KLSH, i cili na ndihmon për të sqaruar cështjet”, tha Kraja.
Ndërkohë përfaqësues nga opozita, por edhe nga mazhoranca kërkuan nga kreu i SPAK që të flasë për çështje konkrete dhe jo për çështje të përgjithshme. Por ai u shpreh se nuk flet dot për hetime konkrete.