Për pasojë, një grup i posaçëm nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike po kryen të gjitha veprimet.

TIRANË– Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht për incidentin e ndodhur një natë më parë me fotoreporterin Gent Shkullaku. Në një reagim zyrtar, drejtori Gledis Nano shkruan se ka urdhëruar nisjen e hetimeve për të parë nëse ka pasur apo jo tejkalim kompetencash. Për pasojë, një grup i posaçëm nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike po kryen të gjitha veprimet. Gjatë takimit të zhvilluar mesditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dhënë porosi të veçantë drejtuesve të strukturave policore të angazhuara me shërbim në Tiranë, për mbarëvajtjen e aktivitetit, që gazetarëve dhe reporterëve, vendas e të huaj, t’u krijohen të gjitha lehtësirat, me qëllim që ata të përmbushin misionin e tyre.
Reagim i Policisë së Shtetit
Lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar, me fotoreporterin Genti Shkullaku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka urdhëruar verifikimin e rrethanave të këtij incidenti. Një grup i posaçëm nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike po kryen të gjitha veprimet dhe nëse do të rezultojë se ka patur tejkalim apo shkelje të procedurave standarde të punës nga punonjës policie, do të merren masat disiplinore përkatëse. Gjatë takimit të zhvilluar mesditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dhënë porosi të veçantë drejtuesve të strukturave policore të angazhuara me shërbim në Tiranë, për mbarëvajtjen e aktivitetit, që gazetarëve dhe reporterëve, vendas e të huaj, t’u krijohen të gjitha lehtësirat, me qëllim që ata të përmbushin misionin e tyre. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të medias në veçanti, si dhe shpreh angazhimin për të përmbushur më së miri detyrimin për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në një event madhështor siç është finalja e sotme europiane e Conference League.
Gent Shkullaku, fotoreporteri i Light Studio Agency (LSA) u dhunua një natë më parë nga efektivët e Policisë së Shtetit teksa ishte në terren e shkrepte foto nga përplasja mes uniformave të shtetit e huliganëve. Denoncimi u bë fillimisht nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, por u konfirmua nga vetë Shkullaku për Dosja.al. Në një prononcim për Dosja.al, Shkullaku shprehet se ka qenë në krye të detyrës në momentin që efektivët i kanë kërkuar të mos shkrepte më foto pasi në këtë mënyrë po ‘nxinte’ imazhin e Shqipërisë dhe i kanë marrë aparatin. Pas një komunikimi të reporterit me zëdhënësin e policisë së Shtetit, efektivët ia kanë kthyer aparatin Shkullakut, por me një kusht, të mos bënte më foto e të fshinte ato që kishte.