Kush ishte Bujar Nishani, ish-ushtaraku që ngjiti të gjitha shkallët e karrierës deri në President i vendit? Bujar Nishani ka lindur në Durrës më 29 shtator 1966.
Studimet e larta i kreu në vitin 1988 në Akademinë Ushtarake Skënderbej në Tiranë.
Studimet e tij pasuniversitare në Menaxhimin e Burimeve të Mbrojtjes përfunduan në 1996 në Kaliforni, Shtetet e Bashkuara.
Nishani ka studiuar edhe jurisprudencë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në Drejtësi në vitin 2004.
Në vitin 2005, ai mori titullin Master për Studime Evropiane në Shkollën e Studimeve Evropiane të Universitetit të Tiranës.
Karriera e tij profesionale filloi në vitin 1988 si pedagog në Akademinë Ushtarake Skënderbej.
Më pas, në vitin 1993 shërbeu si Drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar në Departamentin e Marrëdhënieve me NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 1994.
Në vitin 1996 Nishani shërbeu në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes.
Në vitin 1997, ai u emërua dhe shërbeu si Kryetar i Forumit Ushtarak Euro-Atlantik.
Bujar Nishani spikati jo vetëm në karrierën profesionale, por edhe ate politike.
Ai u bë anëtar i Partisë Demokratike në vitin 199, në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tiranë; në vitin 2003 u zgjodh nga lista e kandidatëve të Partisë Demokratike, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës; në vitin 2005 zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie politike.
Në korrik të vitit 2005, Bujar Nishani u zgjodh deputet në Tiranë.
Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai rizgjidhet sërish deputet.
Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm, nga shtatori 2009 deri në prill 2011 shërbeu si Ministër i Drejtësisë dhe më pas, në prill të 2011 Nishani u emërua sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Kreu i Shtetit.
Më 24 korrik 2012 Bujar Nishani u betua si President i Republikës para Kuvendit të Shqipërisë.
Bujar Nishani është i martuar me zonjën Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fjona Nishani.
