
Kryeministri Rama nuk kurseu kritikat ndaj disa kryebashkiakëve socialistë, pasi 44 nga 61 bashki i janë përgjigjur brenda afatit projektit të ministres për Rininë dhe Fëmijët.Rama u ndal edhe tek fushata e pastrimit, ai tha se disa kryebashkiakë kanë përfituar nga fakti që s’kanë patur kundërshtarë politikë dhe kanë rënë në apati.“Disa kryetarë bashkish që u zgjodhën pa garë dhe pa kundërshtarë, kanë vijuar të qëndrojnë në krye të bashkive a thua se kundërshtarët e komunitetit nuk ekzistojnë.A thua se papastërtia nuk ekziston. Shqipëria duhet ta mbyllë këtë kapitull turpi me plehra. Por një pjesë e kryetarëve të bashkive nuk janë të angazhuar fare në këtë proces dhe kjo është fatkeqësi e madhe. Siç është edhe ministrja për Fëmijët që i janë përgjigjur vetëm 44 bashki për të ngritur Këshillat Rinorë Vendorë ndërsa afati ka kaluar e stërkaluar. Pyetja që kam është: Me çfarë merreni ju? Është për të vënë duart në kokë që problemi kryesor sot në platformën e bashkëqeverisjes janë bashkitë” – tha Rama.