
Agron Gjekmarkaj, pak ditë më parë ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në deklaratat e tij dhe në rrjete sociale, e trumbetonte si vizitë në emër të opozitës.
Për më tepër, Gjekmarkaj deklaronte se ka takuar zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Unë jam shumë i nderuar që gjendem në Uashington. Kam një moment krenarie në impenjimin tim publik, faktin që jam ftuar dhe jam pritur në Departamentin e Shtetit, apo edhe në vizita të tjera të rëndësishme që kam pasur në institucione të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre tri ditëve që jam në Uashington”, deklaronte Gjekmarkaj në intervistën e dhënë te ‘Zëri i Amerikës”, me datë 21 prill 2022.
Gazeta i është drejtuar Kuvendit, për të mësuar se në çfarë cilësie ka shkuar Gjekmarkaj në Amerikë, nga kush ishte ftesa dhe sa ka kushtuar edhe gjithë “shëtitja” e tij atje.
Kuvendi ka konfirmuar se Gjemarkaj ka shkuar në SHBA si i ftuar nga një OJF , në cilësinë e nënkryetarit të Kuvendit.
“Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, me ftesë të drejtoreshës së Open Gov Hub, sipas urdhërit numër 130, datë 14.04.2022 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, ka udhëtuar drejt Washington DC dhe New York për të marrë pjesë në disa takime me zyrtarë të Qeverisë amerikane, kongresmenë, OJF të ndryshme dhe aktivitete në qendrën e Open Gov Hub”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Që do të thotë se takimet do të zhvilloheshin në Qendrën ku ai ishte ftuar dhe me kë Open Gov Hub e kishte ftuar.
Pra, nuk bëhej fjalë për takime me ftesa të kongresmenëve amerikanë, zyrtarë të qeverisë amerikane, por me ata që kishte ftuar e njëjta organizatë që kishte ftuar edhe Gjekmarkajn.
Sa u ka kushtuar Gjekmarkajt në SHBA shqiptarëve?
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Gjenci Gjonçaj, në përgjigjen kthyer gazetës ka dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me vizitën e Gjekmarkajt në SHBA.
Periudha e shërbimit ka qenë nga 17-27 prill 2022, mbërritja në Tiranë, më 28 prill 2022.
Delegacioni përbëhej nga dy vetë, Agron Gjekmarkaj zëvendëskryetar i Kuvendit dhe Dorian Gjomarkaj, ndihmës i tij.
Bileta e udhëtimit, sipas Kuvendit, është blerë me procedurë prokurimi dhe ka kushtuar 118.462 lekë për secilin. Në total 236 924 lekë.
Dieta ditore për qëndrimin në SHBA, për trajtim financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit ka kapur shifrën 1485 dollarë për të dy pjesëmarrësit.
Akomodimi në hotele ka kushtuar gjithsej, 5 828 dollarë për të dy pjesëmarrësit për dhjetë ditët e qëndrimit.
Në SHBA me një çmim të tillë, mund të qëndrosh në hotele superluksoze, jo thjesht luks.
Ndërsa lëvizja aeroport-hotel dhe anasjelltas ka shkuar në vlerën 290 dollarë.
Pra, janë shpenzuar rreth 10 mijë dollarë për Agron Gjekmarkajn dhe ndihmësin e tij në SHBA.
Bëhet fjalë për rreth 10 mijë dollarë që janë para të taksapaguesve shqiptarë.
Para me të cilët Gjekmarkaj “shëtiste rrugëve” të SHBA-së, duke gënjyer se ishte në emër të opozitës dhe se po takohej me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit.