
Kreu i PD, Sali Berisha, del kundër Presidentit Ilir Meta për dekretimin e lirimit nga detyra të Bajram Begajt si shef i Shtabit të Përgjithshëm, duke i hapur rrugë kandidimit të tij për President.
Berisha njoftoi se do të kallëzoi penalisht Metën në SPAK për shpërdorim detyre dhe se do shikojë të gjitha mundësite për ta kthyer aktin në Gjykatën kushtetuese.
Presidenti Meta e dekretoi sot lirimin nga detyra të Begajt nga Turqia, ku ndodhej në një vizitë zyrtare, por një gjë e tillë nuk lejohet, sipas Berishës.
Ky i fundit tha se Presidenti e humbet fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij.
“Presidenti humbet fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij. Jashtë territorit nuk ka dekret. Kur je jashtë vendit, Kryetar Shteti është kryetari i Parlamentit.
Ky është rregulli i Evropës. Nuk e imagjinonim që mund të kishte një shkelje të tillë kushtetuese. Jemi në kushtet e shkeljes flagrante të Kushtetutës.
Ndaj kërkova ta bëj këtë deklaratë në Kuvend, por zonja Linda që e ka si me celës Parlamentin, nuk ma dha fjalën.
Nuk ka sallë asambleje në botë, përfshirë ajo e OKB, që kur kërkon fjalën për cështje procedure, nuk të jepet fjala, kjo ndodh vetëm në Parlamentin shqiptar, që znj. Lindita e përdor si dyqanin e vet”, tha Berisha.