
Pas Dritan Lelit, Rama shpall non grata kryebashkiakun e Beratit Ervin Demon, foli keq për qeverinë tek të huajit
Pas Dritan Lelit, i cili sfidoi propozimin e Edi Ramës për të lënë mandatin e kryebashkiakut të Vlorës dhe për t’u bërë deputet vitin e kaluar, një tjetër kryetar bashkie po hyn në listën e zezë të qeverisë, duke i dhënë fund në 2023 karrierës në qeverisjen vendore.
Bëhet fjalë për kryetarin e Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, më parë zëvëndësministër i Arsimit, pjesë e megakandalit të vjedhjes së artikujve shkencorë dhe doktoraturave, i lënë në heshtje pa asnjë ndëshkim ligjor.
Ndaj Demos ka një akuzë të paprecedentë. Demo akuzohet se ka folur keq ndaj qeverisë tek të huajit, duke denoncuar një plan të Ramës me Belinda Ballukun për kapjen e ujësjellësave të bashkive.
Belinda Balluku, anëtarja e qeverisë më e besuar e Ramës, për të cilën Rama ka një dobësi që kur e kishte drejtoreshë në Bashkinë e Tiranë, pretendon se Ervin Demo po saboton planin që ministria e drejtuar nga Balluku të kontrollojë shumicën e aksioneve të ujësjellësave.
Sipas Ballukut, Demo po punon pas shpine kundër këtij plani, duke u fryrë në vesh të huajve dhe sidomos donatorëve.
Demo nuk e ka pranuar këtë akuzë, por Rama është i prirur t’i besojë Ballukut.
Burime për Prapaskenën thanë se krisja mes Ramës dhe Demos po mbahet qëllimisht në heshtje, por nuk përjashtohet mundësia që përplasja të dalë në publik.
Në rrethet politike nuk përjashtohet mundësia Ervin Demo, me shtimin e presionit, të japë dorëheqjen pa i mbaruar mandati, lëvizje e cila do dëmtonte rëndë qeverinë në sytë e ndërkombëtarëve si një pushtet që po tenton të kapë qeverisjen vendore.
Por nga ana tjetër, Balluku dhe Rama mund t’i hapin ndonjë telash Ervin Demos në SPAK, që të përfundojë si Fatos Tushe.