Flasin te “5pyetjet.al”/ Grupi i Bashës “puç” protestës së Berishës! Lëvizja e fundit e Lulit

Nga Dylber Balla

Pjesa kryesore e grupit të Lulzim Bashës do të bojkotojë protestën e Sali Berishës që do të zhvillohet në datë 7 korrik në sheshin përpara Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.

Pas aleatëve që ishin të dyzuar, “5pyetjet.al” kontaktoi me disa prej drejtuesve të degëve të PD-së që kanë qenë në kohën e Lulzim Bashës dhe që më pas i shkarkoi Sali Berisha me zgjedhjet e “Rithemelimit”.

Pjesa kryesore e zyrtarëve demokratë deklaruan se nuk do të marrin pjesë në tubim duke e cilësuar për interesa personale të Sali Berishës. “Nuk do të marr pjesë. Nuk i bëj thirrje askujt as të marrë dhe as të mos marrë pjesë” tha Xhevdet Amuli nga Shkodra.

Më tej, ai tha se nuk i njeh zgjedhjet që bëri Sali Berisha për kryetarët e degëve. “Unë jam kryetar i PD-së zyrtare në Shkodër deri në fund të vitit” tha ai për “5pyetjet.al”.

I të njëjtit mendim është edhe deputeti Agron Kapllanaj, që njëkohësisht drejton edhe degën e PD-së në Fier, i komanduar në kohën e Lulzim Bashës. “Personalisht nuk marr pjesë në protestë. PD nuk ka shpallur ndonjë protestë. Protestë ka shpallur Sali Berisha, që nuk është kryetar i PD-së“.

Ai njeh Enkelejd Alibeajn kryetar të komanduar të PD-së? “Nuk e kemi diskutuar këtë cështje, për sa kohë nuk jemi thirrur në protestë. Por personalisht nuk do të shkojë të protestoj, pasi i shërben vetëm Sali Berishës, jo demokratëve. Dega e PD-së do të angazhohet kur PD të thërrasë protestë dhe jo Sali Berisha”.

Përçarje ka edhe në Rrogozhinë. Ferdinand Saraçi është i bindur. “Nuk do të marr pjesë në protestë. Unë dhe stafi im nuk do të marrim pjesë në protestë për interesat e Sali Berishës”. Po Basha? “Ai rikthehet nëse ka zhvillime. Mendimi im është se ai e ka gatishmërinë për t’u kthyer. Ai është i pafajshëm.

Ervin Goxhaj, që nuk njeh kryetarin e ri të degës nr. 4 në Tiranë të zgjedhur nga Sali Berisha duke vijuar drejtimin thotë se tubimi bëhet për dy arsye.

“Nuk do të marr pjesë. Nuk bëhet fjalë. Protesta nuk është e sinqertë, po e bën Sali Berisha për t’i bërë karshillët PD-së, brenda llojit, por edhe nga frika e vendimit të Apelit”.

Po Lulzim Basha çfarë po përgatit? “Dje kam pasur një telefonatë të gjatë me zotin Basha. Nuk ka pushime, është në terren në takime me njerëz. Super aktiv dhe folëm shumë gjatë” tha ai për “5pyetjet.al”.

Kryetari i degës nr. 12 të Partisë Demokratike Festim Dushku shkoi edhe më tej duke paralajmëruar kaos. “Jo vetëm që nuk do të marr pjesë në protestën që do të thërrasë zoti Berisha, por do të bëj gjithçka që t’i ndaloj njerëzit” tha ai.

Nga ish-drejtuesit e kontaktuar, vetëm dy pranuan që do të marrin pjesë, Eugen Isai në Elbasan dhe Ndriçim Babasi në Tiranë. “Po, sigurisht që do të marrim pjesë në protestën kundër Edi Ramës dhe në cdo protestë që do të bëhet kundër tij” thanë ata për “5pyetjet.al”.