I damkosur me vulën e non grata-s”, Kapllanaj i përgjigjet Berishës: Fol për milionerët e foltores, je në aleancë me Ramën

Ish-kandidati për deputet i PD, Agron Kapllanaj, ka reaguar ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha pas akuzave të këtij të fundit se demokrati ka përfituar 97 tendera nga qeveria. Kapllanaj shprehet se “non grata” flet për tendera imagjinarë e nuk ka guxim të flasë për milionerët e foltores dhe tenderat korruptivë, në të cilat bashkëpunëtoret e tij dhe ai vetë janë të përfshirë së bashku me qeverinë.

Sali Berisha i damkosur me vulën e non grata-s dhe në pazare të dukshme e të padukshme me Edi Ramën, së fundmi ka nisur të bëjë gaztorin për mbështetësit e tij që po i rrallohen përditë.

Këtë ka bërë në Mallakastër ndërsa ka folur për tendera imagjinarë ndërkohë që milionerët e kryesisë së foltores nuk kanë guximin as të ngrenë sytë kur përballen me akuzat për korrupsion dhe bashkëpunim me qeverinë për të ruajtur apo shtuar pasuritë e vëna”.

“Por Sali Berishës nuk i interesojnë faktet dhe e vërteta, por vetëm shpifjet me të cilat mbrohet në bunkerin e non grata-s. Sigurisht është i lirë të merret dhe me mua dhe me këdo tjetër, si t’ia japë përroi i tij psikik, por nëse ka ndonjë moment kthjellimi, le të nxjerrë çfarëdo prove a fakti. Jo për gjë, por meqë edhe ai kërkon prova për korrupsionin si non grata nga amerikanët”

“E kuptoj që është në hall të madh, dhe është bërë për të ardhur keq, por fakt është se tashmë nuk e ha askush përrallën e tij non grata dhe meqë Ramën nuk e sulmon dot, për faqen e tij të zezë merret me demokratët që kanë sjellë si asnjëherë fitore historike të PD në Mallakastër. Fatkeqësia është se tashmë non-grata nuk sheh dot demokratët e vërtetë. Ai tashmë sheh vetëm armiq dhe ju ka shpallur luftë. Miqtë e tij të vetëm janë Edi Rama me non grata-t e tij”