
Prokuroria e Posaçme, SPAK ka dhënë sot pretencën duke kërkuar 3 vite e 4 muaj burg për ish-kreun e Bashkisë Lushnjë, Fatos Tushe.
Veç viteve të burgut do të ketë edhe dënim plotësues për ish-kryebashkiaku.
Është kërkuar heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Tushe u arrestua dhe akuzua për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”
Ndërkohë SPAK ka kërkuar dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për Gentjan Nushin dhe përjashtimin e tij me 3 vite nga e drejta për të ushtruar funksione publike.
ABUZIMI
Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe sëbashku me 8 zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe 2 biznesmenë u arrestuan më 6 korrik me urdhër të SPAK nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe përfshirjes në një tender abuziv.
Bëhet fjalë për një tender prej 24 milionë lekësh të rinj për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj të Njësisë Administrative Kolonjë. Tenderi për këtë vepër është hapur më 23 korrik të vitit 2020 me një fond limit prej 23 251 341.00 lekësh, me procedurë të hapur. Sipas të dhënave të tenderit, i cili është mbyllur në fund të muajit gusht të vitit të shkuar, në garë kanë marrë pjesë tri kompani, përfshirë edhe kompaninë “Euro Alb SHPK”, me pronar Bujar Muratin.