Pasi rrëzuan rezolutën që dënonte gjenocidin e Srebrenicës, mazhoranca rrezikon të bëjë të njëjtën gjë edhe me rezolutën për masakrat serbe në Kosovë.
Nënkryetarja e Kuvendit dhe njëherazi deputetja e PS, Ermonela Felaj u shpreh mbrëmjen e sotme në një studio televizive se rezolutat dhe kërkesat për mocion me debat në Kuvendin e Shqipërisë, janë hipokrizi.
Ajo tha gjithashtu se rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë bie ndesh me ‘Open Balkan’.
Që prej vitit 2014 e deri më tani, mazhoranca po intensifikon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur para vitit 2009. Kjo shpreh vullnetin tonë për të qenë në mbështetje të plotë të Kosovës. Rezolutat e opozitës janë instrument për t’i rënë ndesh ‘Open Balkan’.
Ne e kemi dënuar gjenocidin. Dhe më e rëndësishme është që tashmë kjo është në Gjykatën e Hagës. Nuk ka asnjë lloj morali, që mbështetet nga “non grata” e disa të tjerë, kur Sali Berisha e ka mbështetur politikën e Millosheviçit.
Kjo është një kërkesë vetëm e një personi, që e ka emrin “non grata”. Sali Berisha do të pastrojë veten, do të rikonfirmojë veten, por kjo histori ka marrë fund”, u shpreh Felaj.