Tetë urdhër arreste për mësuesit, juristin dhe inxhinierin në Elbasan, si falsifikuan votat në zgjedhjet e 25 prillit, dëshmia e tyre: E bëmë gabimisht

Mbrëmjen e sotme, prokuroria e Elbasanit njoftoi lëshimin e 8 urdhër arresteve për numërues të tre partive kryesore, PS, PD dhe LSI nën akuzën e falsifikimit të votave në KZAZ numër 50.

Kallëzimi penal për numëruesit u bë nga KQZ menjëherë pasi në dy kutitë e votimit u shfaqën probleme me votat. Sipas informacioneve zyrtare, vetëm 6 prej tyre janë arrestuar, konkretisht shtetasit Erald Karriqi, Ylli Kuka, Durim Alla, Erjon Dashi, Mili Vasku, Olgert Alla. Ndërsa dy të tjerët, Otion Bajrami dhe Eduard Zito janë shpallur në kërkim.

Nga të dhënat e tyre, bie në sy fakti që të gjithë janë mësues, juristë, punonjës socialë dhe inxhinierë të cilët kanë marrë pjesë si numërues gjatë zgjedhjeve të 25 prillit. Të gjithë personat e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim rrezikojnë të dënohen nga një deri në 5 vite burg për veprën penale të kryer.