U gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Greqi, arrestohet bashkëshorti i shqiptares

 

Është arrestuar bashkëshorti i 62-vjeçares shqiptare, e cila u gjet ditën e djeshme e vdekur në apartamentin e saj në rrugën Tsopanakou në Gyzi (Geqri).

Sipas medieve greke burri ka pohuar se ka telefonuar fillimisht urgjencën  dhe jo policinë pasi nuk ka pasur dokumentacion të rregullt për të qëndruar në Greqi.

Me shumë gjasë shqiptari ka qenë vetë ai që ka njoftuar policinë për vdekjen e partneres së tij, por më pas ia ka mbathur për të shmangur arrestimin.

Kujtojmë se trupi i pajetë i shqiptares u  gjet në dhomën e gjumit të shtëpisë me  të nxira, ndërsa në banesë nuk ka pasur shenja dhunimi.

Sipas dëshmive bashkëshorti i saj ka vrapuar në shtëpinë ngjitur dhe ka kërkuar ndihmë nga një fqinj, i cili ka parë të vdekur 62-vjeçaren, shkruan zougkla.gr.

Fqinjët e çiftit në Gyzi e cilësojnë burrin e viktimës si person që pinte shpesh dhe përfshihej në sherre.

Megjithatë, ata theksojnë se nuk e kishin dëgjuar kurrë çiftin të ziheshin.

Ata thonë se gruaja kishte probleme të rënda shëndetësore dhe nuk përjashtojnë që vdekja e saj të ketë ardhur për shkaqe patologjike.