Vrasja e 26-vjeçarit në Maliq: Viktima i lidhur me të dashurën e njërit prej autorëve, nuk dinte shkrim-lexim

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço në rezervuarin e Maliqit. I riu ishte shpallur i zhdukur nga familjarët e tij por më datë 16 trupi i tij u gjet i pajetë në rezervuar dhe sot policia ka arrestuar tre autorët e vrasjes së tij. Mësohet se 26-vjeçari prej disa kohësh ishte në një lidhje me një vajzë e cila në të njëjtën kohë ishte e lidhur me një nga autorët e arrestuar. Kur i dashuri i vajzës e ka marrë vesh lidhjen e saj me Çeçon i ka kërkuar atij që të ndëpresë lidhjen dhe të mos të flasë me vajzën por i riu nuk e ka dëgjuar dhe ka vazhduar sërish lidhjen.

Madje autorët kanë njoftuar edhe babain e viktimës për lidhjen që ai kishte por as presioni i babait nuk ka ndikuar që ai të mos flasë më me vajzën. Në këto kushte autorët një natë rreth orës 23:00 e kanë thirrur 26-vjeçarin dhe pasi e kanë mbytur me litar e kanë hedhur në rezervuar që vdekja e tij të duket si vetëvrasje. Por pas nxjerrjes së trupit të pajetë nga uji në qafë policia ka konstatuar shenja të cilat më pas kanë shërbyer për zbardhjen e ngjarjes.

Sipas banorëve të fshatit 26-vjeçari nuk kishte mbaruar as shkollën 9 vjeçare, madje nuk dinte as të shkruante as të lexonte. Sipas banorëve viktima nuk lëvizte nga fshati i tij. Ai merrej vetëm me prerje të lëndës drusore bashkë me babain.