
Policia e Kurbinit ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Milot ku në një atentat u vra Klisman Preçi ndërsa mbeti i plagosur Ylli Brahimi.
Ata u qëlluan me breshëri armësh teksa ishin në makinën fuoristradë, ndërsa më herët që të dy u kanë shpëtuar atentateve.
Ndërkaq në Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet që dyshohet se u përket autorëve. Brenda saj janë gjetur dy kallshnikovë.
Ndërkaq policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve.
Në qytet Milot, në sheshpushimin e një pallati, rreth orës 21:00, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip fuoristradë “Land Chrysler”, brenda të cilit ndodheshin shtetasit K. P., 28 vjeç dhe Y. B., 46 vjeç, banues në Kurbin, të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Shtetasi K. P. ka ndërruar jetë.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor.
Gjithashtu, nga forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Janë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.
Në fshatin Gramëz, rrethi Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet, që dyshohet se është automjeti i përdorur nga autori/ët për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale. Nga kqyrja paraprake, brenda tij, janë gjetur 2 armë zjarri kallashnikovë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdon veprimet hetimore, duke administruar çdo provë, pamje filmike, informacion si dhe dëshmi, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.