Çfarë ndodhi dje në Himarë, ku shefi i Policisë i mori jetën 7-vjeçares
Familja Avdia nga Tropoja ka lënë Anglinë dhe është kthyer në vendlindje, të shuajë mallin dhe t’i tregojë së bijës së lindur atje rrënjët që s’duhen harruar…
Kanë vendosur të pushojnë ca ditë dhe të shëtisin në disa vende të bukura të Atdheut, ku një ndër to është zgjedhur edhe Himara, pa e ditur se aty do të pësonin goditjen më të madhe të jetës së tyre: humbjen e së bijës që e sollën nga siguria te dashuria që vret.
Ditën e djeshme, vajza e tyre vetëm 7 vjeç, ka qenë në bregun e detit në Potam, kur një skaf, që drejtohej nga një funksionar i lartë policie e ka goditur për vdekje. Vajza ka ndërruar jetë në vend nga goditja fatale që ka marrë, ndërkohë që lajmi i kobshëm shpejt pushtoi opinionin publik.
Policia që shkoi në vendin e ngjarjes u përpoq të hidhte dritë mbi ngjarjen e rëndë, por të qenurit një zyrtar policie, autori i asaj ngjarjeje bëri që informacioni të tkurrej.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryepolicit të vendit, Gledis Nano, i cili vetëm pak ditë më parë lëshoi një letërporosi për vartësit e tij, të cilët duhej të ruanin vijën bregdetare, pa e ditur se një i rikthyeri i tij në radhët e Policisë jo vetëm do ta thyente atë urdhër, po madje do t’i merrte jetën një fëmije.
Arjan Tase është funksionari i Policisë, i cili është vënë në pranga për incidentin që i kushtoi jetën një vajze të mitur.
Ai bashkë me mjetin e tij ujor mësohet se ka qenë në det të hapur bashkë me një mikun e tij dhe më vonë është rikthyer në breg për të marrë bashkëshorten.
Ai ka vendosur të afrohet në breg për të marrë gruan, në vendin ku kishte pushues, e për pasojë në momentin kur është nisur për të ikur ai ka lëvizur pas pa parë se kë kishte në rrezen e afërt të mjetit lundrues të paligjshëm për të qëndruar aty.
Sipas të dhënave të Policisë, bëhet me dije se ka qenë pikërisht ai moment që njëra nga helikat ka kapur vajzën në breg, duke i marrë jetën menjëherë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në sy të pushuesve, ndërkohë që ka pasur edhe përplasje mes shefit të Policisë dhe pushuesve, të cilët kanë reaguar ashpër.
REAGIMI I POLICISË
Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, drejtuesi i mjetit, Arjan Tase, shef i Policimit në Komunitet në Policinë e Elbasanit, u përjashtua nga radhët e Policisë.
Gjithashtu, Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.
Arjan Tase, i cili përplasi me gomone, duke lënë të vdekur në vend një 7-vjeçare, ka qenë më parë shef Komisariati në Himarë.
Në vitin 2020, është emëruar shef Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Peqin në Elbasan dhe madje u pezulluar nga detyra më parë. Por, pavarësisht kësaj ai është rikthyer sërish në detyrë në Policinë e Shtetit.
Tase kur ishte shef i Komisariatit të Himarës është akuzuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohej se kishte lejuar kultivimin e drogës në dy fshatra të Vlorës.
Në dhjetor të vitit 2020 në kuadër të operacionit antidrogë u arrestuan disa efektivë policie, kultivues dhe trafikantë droge, të cilët ishin implikuar në kultivimin e 6790 rrënjëve kanabis në Vlorë.
Gledis Nano shkarkon zinxhirin komandues të Kufirit, Vlorë
Drejtori i Përgjithshëm Policisë së Shtetit, Gledis Nano, urdhëroi dje në mbrëmje shkarkimin e të gjithë zinxhirit drejtues të Policisë Kufitare në Drejtorinë Vendore të Vlorës.
Kjo masë erdhi pas ngjarjeve të përsëritura në Jug të incidenteve me mjete lundruese.
“Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, u shkarkuan nga detyra: Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, me detyrë drejtor i DVKM Vlorë; Komisar Fatos Muka, me detyrë shef Sektori i Kufirit në DVKM Vlorë; Kryekomisar Andon Marko, me detyrë shef Sektori i Zbatimit të Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë; Nënkomisarë Dritan Veizaj dhe Ervis Alisinanaj, me detyrë specialistë pranë këtij Sektori; Inspektorë Ardian Kamaj, Granit Nuraj, Jonel Ahmeti dhe Juljan Mehmetaj, efektivë të Sektorit për Zbatimin e Masave Plotësuese për Kontrollin e Territorit, në DVKM Vlorë; Nënkomisar Neritan Buzi, shef Stacioni i Policisë Kufitare Dhërmi dhe Nënkomisar Daniel Likskëndaj, specialist pranë këtij Sektori; Inspektorë Andrea Zenelaj, Besnik Limaj, Fatos Pashaj dhe Arsen Hasanaj, trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Dhërmi.
Ndërkohë, grupi i posaçëm, i ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i përbërë nga specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike, vijon punën për eliminimin e mangësive, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me mjetet lundruese”, thuhet në njoftimin e Policisë.