Rusët me makinë luksi në Gramsh, Duma: S’guxon turisti të sulmojë ushtarin

Deputetja demokrate Grida Duma e cilësoi kapitullim të mbrojtjes së vendit incidentin e ndodhur një ditë më parë në uzinën e armëve në Gramsh, ku dy ushtarë u sulmuan nga 3 shtetas rusë që tentuan të hyjnë brenda.

Në një intervistë për Euronews Albania, Duma e cilësoi incidentin pafuqi dhe paaftësi të shtetit për të garantuar siguri.

Ajo përjashtoi mundësinë që shtetasit e arrestuar të jenë turistë, pasi siç tha një turist nuk ka pse të sulmojë një ushtarak dhe të vijë rrotull me një makinë luksi në një vend si Gramshi që nuk është as atraksion turistik.

Teksa risolli në vëmendje thirrjen e kryeministri Zelenski drejtuar Shqipërisë pak kohë më parë, që të ndalonte hyrjen e turistëve rusë, Duma u shpreh se në kushtet e konfliktit të hapur, kjo duhet të ishte më e pakta që duhej bërë, kur vendi ynë siç tha nuk ka asnjë nivel sigurie.

Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh.

Në dëshminë e tyre, ata kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.