Kreu i PD-së, Sali Berisha, u pyet nga gazetarët nëse demokratët janë dakord që të bashkohen me Partinë e Lirisë, duke qenë se PL është praktikisht ish-LSI-ja.
Berisha theksoi se nuk ka nevojë që në mesin e demokratëve të ketë referendum për këtë çështje, sepse ekziston një arsye madhore që bën bashkë qytetarët dhe ai është largimi i Ramës nga pushteti, si një e keqe e madhe e Shqipërisë.
“Ju përmendët dakordësinë për referendumin, ka një tjetër dakordësi më supreme dhe ajo është që t’i jepen duart Ramës sa më parë. Këtu PD, Partia e Lirisë, partitë e vërteta opozitare, shoqëria civile dhe mbrojtësit e kauzave, të gjithë janë bashkë për t’i prerë biletën këtij njeriu, që është kthyer në problemin më madhor të shqiptarëve pas Enver Hoxhës në politikë.
Ky objektiv tejkalon të gjitha problemet e tjera. Ne do të jemi në një front të përbashkët për të shpëtuar Shqipërinë nga Edi Rama, sepse ka afera korruptive madhore përditë nga më të ndryshmet”, u shpreh ai.