Veliaj: Do jetë operacioni më i madh në Tiranë që nga 2015-ta
Rr. “Ndreko Rino në Njësinë 5 është e para prej nga ku Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin e transformimit të infrastrukturës rrugore.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në orët e vona të së enjtes, ndërsa lajmëroi se ky do të punohet në çdo aks rrugor ku nuk është ndërhyrë ende nga bashkia.
“Do të jetë operacioni më i madh në Tiranë që nga 2015-ta. Nuk do lëmë asnjë rrugë pa asfaltuar. Sigurisht, ndodhi një traumë e madhe me atë që shkaktuan bursat, me rritjen e çmimit të naftës, pastaj çelikut e betonit, prandaj kemi vendosur që buxhetin e parealizuar të bashkisë t’a çojmë për ndërhyrje në nivel kapilar në Tiranë.
Si çdo punim tjetër, edhe rikonstruksioni i rrugëve pritet të rrisë vlerën e pronës sipas Veliajt.
“Me ndërhyrjen në infrastrukturë në nivel kapilar, i bëjmë shërbimin më të madh qytetit. Tiranës i është rritur vlera. Kur ka ndriçim LED, kur ka akses në rrugën kryesore, kur ti për 100 metër je në autostradën që lidh Tiranën me Unazën e Madhe, do të thotë se çdo punë që bëjmë ia ka rritur vlerën e shtëpisë secilit respektivisht.”
Punimet po kryhen në funksion të projektit për ndërtimin e segmentit rrugor dhe pedonales nga sheshi “Federik Shopen” deri në kryqëzimin me “Rrugën e Kosovarëve”.