Bilanci/“Ikona” Arben Kraja Në SPAK: 3 Vite “Gjumë” Dhe 650 Milionë Lekë Paga, Roje, Sigurime E Salltanete

Goditjet më të larta, ishin “bedelët” Lefter Koka e Alqi Bllako dhe zv/ministrja e arkës së peshkut, ndërsa kundër bizneseve mafioze,

ishte hetimi i kombajnerit Bektash Dinga me akuzën: “Evazion fiskal e pastrim parash, nëpërmjet korrjes së grurit pa kupon tatimor”.

Por në 1100 ditë kryetar i SPAK, Arben Kraja nuk trokiti as te Babloku i dhjetëra aferave të mëdha, as te Sali Berisha e Ilir Metaj,

dy “monstrat” që i kanë bërë “1001 të zeza” këtij vendi

Është hapur gara për zgjedhjen e Kryetarit të ri të SPAK, me pjesëmarrës nga anëtarët e kësaj strukture, njeri prej të cilëve, në fund të dhjetorit do t’i marrë çelësat e drejtimit Arben Krajës.

Edhe nëse Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nuk e bën bilancin e punës 3-vjecare të Arben Krajës, dihet se çfarë ka bërë personi që e mori detyrën me bujë dhe hapi… vetëm “vrima në ujë”.

Nuk mund të themi, se Kraja nuk hetoi apo nuk arrestoi, por në 3 vite me fuqi e “dorë të lirë” ligjore, me mbështetje amerikane e kërkesë publike të mbarë shoqërisë shqiptare, Arben Kraja nuk firmosi asnjë akuzë serioze për “përbindëshat” e korrupsionit shtetëror.

Më 19 dhjetor 2019 kur u zgjodh Kryetar i SPAK, në fjalën e tij të parë publike, tha: – Besimi që mu dha, do ta kthej në besim për shqiptarët dhe detyrim për shtetin e së drejtës, duke çuar para drejtësisë cilindo që shkel ligjin, pavarësisht pozicionit e nivelit të lartë që do ketë”.

Faktet tregojnë, se niveli më i lartë ku ka goditur Arben Kraja këto 3 vite, ka qenë Lefter Koka, që u përdor prej bandës Rama- Zoto, si “bedel” për aferën e landfilleve dhe u hodh si ‘leckë’.

SPAK u ngjit deri te niveli i Alqi Bllakos, sekserit të Ilir Metës e Edi Ramës, të cilët e veshën me mandat deputeti; por edhe te zv/ministrja Rovena Voda, prangosur për 1 arkë peshk që Edi Rama e ha çdo fundjavë te Gjergj Luca, si nder që i ka dhuruar 30 milionë Euro pasuri.

Niveli tjetër ku u ngjit Arben Kraja këto 3 vite, ishte Fatos Tushe, jo për vjedhje, por pse nuk verifikoi dokumentet e një tenderi pastrimi kanali me vlerë 200 mijë Euro, aq sa kryebashkiakes së Durrësit, Emirana Sako, koncesionarët ia dhurojnë klering me apartamente e makina.

Ndërsa në luftën kundër krimit ekonomik nga biznesmenët mafiozë, Arben Kraja do mbahet mend, vetëm për hetimin e kombajnerit Bektash Dinga nga Kuçova, me akuzën: “Evazion fiskal, fshehje të ardhurash e pastrim parash, nëpërmjet korrjes së grurit pa kupon tatimor”.

Por në 1100 ditë kryetar i SPAK, Arben Kraja, nuk u ngjit në nivelet larta të korrupsionit e krimeve, si Sali Berisha e Ilir Metaj, dy “monstrat” që kanë bërë “1001 të zeza” në këtë vend.

Nuk preku asnjë trafikant ndërtues kullash me miliarda kokaine e prostitucioni. Nuk preku as ish- drejtorin e Policisë, Ardi Veliu, që lejoi bosët e “Ndraghet’a”, të pastronin para me ndërtime.

Nuk preku kryeministrin Rama e asnjë ministër që ka firmosur vjedhjet e pasurive, të maskuar si investitorë strategjikë, por dhe deputetë e trafikantë të tjetërsuar në biznesmenë.

Në 3 vite drejtim, arrestoi ca peshq të vegjël narkotikësh, por nuk e preku fare bosin e “Bana King” Trifon Murataj, që u kap me 980 kg. kokainë, madje dhe bosin e bananeve “ALBA EXOTIC FRUIT”, Eduard Dauti, ia përcolli prokurorisë lokale për gjoja “mungesë komptence”.

Por Arben Kraja, mbetur në kujtesën e shqiptarëve si “Ikona” e mos prekjes së pushtetarëve, “të fortëve”, trafikantëve e parellinjve të kullave, po e lë një bilanc.

Në afro 3 vite detyrë, ka marrë 180 milionë lekë pagë në total. Për të janë shpenzuar 21 milionë prime sigurimi personale e familjare. Janë shpenzuar 450 milionë lekë për makina, karburant, udhëtime dhe 9 truproje personale e familjare “non stop”.

Këto paga e shpenzime, ia ka dhënë ligji, por për të bërë detyrën e jo për të “fjetur gjumë” mbi dosje e për të mos-vepruar, as ndaj “monstrave” të korrupsionit: Agaçi, Beqja, Xhaçka, Veliaj, Balluku, Klosi, Manastirliu, Pollo, Kumbaro, Bode, Ruli, Haxhinasto, Panariti, Petrit Vasili e disa kryebashkiakë.