
Gjatë fjalës së saj në konferencën për bilancin e sezonit turistik veror, Sako u shpreh se Durrësi është ende në sezon turistik. Dhe këtëvit ka kaluar mbi 1 Milion turistë.
Sipas saj, shumica e hoteleve në vijën e parë bregdetare janë prenotuar deri në mesin e muajit tetor.
Gjithashtu, Sako e ka cilësuar Durrësin si një destinacion mjaft tërheqës, i cili ka pritur turistë jo vetëm nga rajoni, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por çdo vit vjen në rritje numri i vizitorëve nga Italia dhe Austria.
“Mund të themi që Durrësi është ende në një sezon turistik, sepse shumica e hoteleve që ndodhen në vijën e parë të bregdetit kanë prenotimet e tyre 100%, deri në datën 15 tetor. Është një destinacion tërheqës për turistët, jo vetëm nga rajoni, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por çdo vit vjen në rritje numri i vizitorëve nga Italia dhe Austria.
Të dhënat që kemi këtë vit nuk janë ende të përfunduara, pasi ndodhemi ende në sezon turistik. Por Durrësi këtë vit ka kaluar mbi 1 milion turistë, të cilët kanë zgjedhur një afat 5-7 ditor për qëndrimin e tyre familjar”, theksoi ajo.
Kujtojmë se, i pranishëm në konferencën për bilancin e sezonit turistik veror, ishte edhe kryeministri Edi Rama.