
Avokati Spartak Ngjela ka reaguar sot mbi skandalin e financimeve ruse në vend.
Departamenti i Shtetit ka hartuar një raport, në të cilin shprehet se Rusia ka dhënë 300 milionë dollarë
për parti të ndryshme në të gjithë botën dhe një ndër ato që ka përfituar është Partia Demokratike e Shqipërisë.
Sali Berisha e hoqi përgjegjësinë nga vetja dhe ja faturoi Lulzim Bashës skandalin. Por avokat Spartak Ngjela
nuk është i të njëjtit mendim me të. Përmes rrjeteve sociale, Ngjela shprehet se në fakt lidhje me rusët ka pasur edhe Sali Berisha. Sipas tij, kur PD ngriti çadrën para Kryeministrisë në vitin 2017, ishin mediat ruse ato që promovonin Berishën.
“Po dalin në pah ato që kam analizuar edhe unë… Kanë ardhur dhe dokumente që provojnë se, kur Saliu fliste në çadër, stacionet televizive në Moskë jepnin Çadrën dhe fjalimet e Saliut, me superlativa. Dhe unë e denoncova që këtu, në kohën e Çadrës, kishin ardhur 270 oficerë rusë… A ju kujtohet?”, shkruan avokati në rrjetet sociale.
Ndërkohë ai ka folur në media edhe sa i takon sulmeve kibernetike. Irani goditi fillimisht E-Albanian dhe më pas sistemin TIMS. Sipas Ngjelës, historikisht Shqipëria ka qenë në lupën e Moskës, Beogradit, ndërsa së fundmi dhe të Iranit.
“Ka shumë ndërhyrje të Iranit në Shqipëri, ne i kemi para herë pas herë, por këtë herë u vendos ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike dhe mua më duket se kjo është një gjë normale, sepse në funksion historik të kësaj kohe Shqipëria e ka në favor sepse vendin tonë, Moska dhe Beogradi e akuzon si një vend islamik dhe qeveria shqiptare mban një qëndrim kundër një vendi të njohur që ecën sipas radikalizmit dhe ne jemi një shtet jashtë feve dhe nuk kemi lidhje me islamizmin radikal dhe këtë gjë ne e kemi në favor, dhe e kemi në favor jo se partnerët tanë dyshonin dhe po ashtu, as Brukseli nuk dyshonte, por kundërshtarët tanë na kanë goditur në këtë pikë”, u shpreh avokati.
Ditën e sotme DASH tronditi politikën shqiptare, pasi sipas një zyrtari amerikan, dyshohet se rusët kanë dhënë 500 mijë dollarë për PD. Bëhet fjalë për skandalin e lobimeve në SHBA. U fol që në atë kohë se mund të ishte e përfshirë Moska, por duket se tashmi dosja është rihapur.