
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin numër 237 të datës 13.01.2020, ka vendosur pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurit Lulzim Basha, në lidhje me skandalin e lobimit rus.
Kundër këtij vendimi kanë reaguar prokurorët e çështjes, Gjergji Tako dhe Kolë Hysenaj, duke e ankimuar në Gjykatën e Apelit, pavarësisht se nuk janë marrë parasysh dhe nga shkalla e dytë.
Sipas prokurorit Gjergji Tako, Gjykata ka gabuar në arsyetim duke krijuar një formë të re të arsyetimit të provave. Prova e dërguar nga Prokuroria “Parashtrimet e Lulzim Bashës në një emision publik televiziv datë 21.12.2017” është trajtuar nga Gjykata si deklarim. Këto qëndrime publike duheshin të trajtoheshin nga Gjykata në përputhje edhe me provat e tjera të depozituara nga Prokuroria.
“Në rastin konkret, kemi hedhje të dhënash jo në përputhje me realitetin në formularin përkatës, me qëllim për të fshehur lobimin e bërë nga një kompani me administrator lidhur me aktivitet biznesi me shtetase ruse”, konstaton prokurori.
Sipas të njëjtit, të pandehurit kanë fshehur shumën 500 000 USD që është dhënë cash nga subjekti PD te kompania e huaj private për të bërë lobim në SHBA me qëllim zgjedhor në favor të këtij subjekti politik, duke qenë se zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin pas disa kohësh në qershor 2017.
“Të pandehurit nga këto lëvizje kanë shkelur nenin 23/1, paragrafi 4-t ‘Për Partitë politike’ duke i shmangur edhe detyrimet tatimore, pasi kjo shumë e madhe nuk është deklaruar në asnjë organ të administratës publike duke përfshirë edhe KQZ-në”, thuhet në ankimin e prokurorit.
Gjithashtu, sipas tij, Gjykata ka gabuar kur shprehet se nuk mund të merret vendim mbi një provë të vetme, duke pranuar si të tillë depozitimet e Nik Muzin dhe meqë emisioni televiziv është konstatuar në mënyrë të gabuar si provë me ves, nuk e numëron si provë të dytë të lidhur fort me deklarimet e Muzin.
“Gjykata ka gabuar kur shprehet se formulari i PD-së për shpenzimet në KQZ nuk është nënshkruar nga Lulzim Basha dhe Arben Ristani duke mosvlerësuar se çdo vepër penale në bashkëpunim i ka të ndarë rolet e shtetasve ku jo të gjithë janë ekzekutorë faktik/fizik, por edhe ideatorë, mbështetës, ndihmës”, ka konstatuar prokurori Gjergji Tako.