Menduan se ishin atentatorë, qëllohen me 5 plumba 2 policët Breshani dhe Mehmetaj në Vlorë, po lëviznin me “Audi” pa targa e xhama të zinj

Dy policë të Vlorës u qëlluan mbrëmjen e djeshme me armë zjarri, me 5 plumba, nga persona ende të paidentifikuar. Anxhelo Breshani dhe Nako Mehmetaj kanë qenë duke lëvizur me një “Audi” pa targa dhe me xhama të zinj në lagjen “Partizani”, kur drejt tyre është qëlluar me armë.

Autorët që sipas Policisë së Vlorës lëviznin me një mjet “Volkswagen”, janë larguar me shpejtësi drejt zonës së Spitalit dhe aty kanë humbur gjurmët.

Anxhelo Breshani ishte efektiv i Patrullës së Përgjithshme në Vlorë dhe Nako Mehmetaj efektiv i Policisë Kufitare me detyrë në Sarandë. Të dy kanë qenë jashtë shërbimit, civilë, dhe deri tani raportohet se nuk janë përgjigjur me armë.

Dy policët sapo kishin përfunduar palestrën dhe po ktheheshin me makinë. Gjatë rrugës ata kanë bërë një parakalim që dyshohet se është dhe shkaku i të shtënave me armë, përderisa në marrjen në pyetje ata kanë thënë se nuk kishin njohje me autorët dhe as ndonjë konflikt.

Mirëpo, parakalimi që ata kanë bërë me një “Audi” të zi dhe pa targa, me xhama të zinj gjithashtu, ka trembur personat që ndodheshin në mjetin tjetër. Në këto kushte, këta të fundit kanë menduar se kishin rënë në atentat dhe kanë hapur menjëherë zjarr.

Pasi kanë qëlluar disa herë me pistoletë, autorët janë larguar me shpejtësi mes rrugicave të lagjes “Partizani”. Deri tani, nuk ka një njoftim nëse ata janë identifikuar apo ndaluar nga shërbimet e qytetit bregdetar.