Rrufeja” e Ramës mbi universitetin “Luarasi”; konvikti 3800 m2 që Irfani e ka zaptuar prej 10 vitesh

Një informacion i ardhur në “Pamfleti”, bën me dije se pas “çlirimit” të 4000 m2 plazh te resorti “Prestige”, Edi Rama ka urdhëruar Ministrinë e Financave, të “çlirojë” dhe ish-Konviktin e Gjuhëve të Huaja, të uzurpuar prej 10 vitesh me universitetin privat nga “Irfani i Tmershëm”.

Bëhet fjalë për pronën shtetërore të quajtur “Konvikti i Shkollës së Gjuhëve të Huaja- Tiranë”, ndodhur në Zonën Kadastrale Nr. 8160, S-13, me numër pasurie 5/74 te “Rruga e Elbasanit” me sipërfaqe 3800 m2, nga të cilat 2822 m2 funksionale, uzurpuar nga universiteti “Luarasi” prej vitit 2012.

Është një rast tipik, një grabitje e hapur e pasurisë publike, nisur me firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha më 28 qershor 2012 dhe u bë fakt me kontratë definitive 30 vjeçare në muajin gusht 2013, por më pas vazhdoi me lojëra bllokimi e zhbllokimi nga Edi Rama.

Prej 10 vitesh, ky objekt shtetëror po përdoret nga Irfan Hysenbelliu, për biznes me universitetin privat “Luarasi”, zaptuar në mars 2012, por marrë me Kontratë Nr.11436 rep. Nr 1838 kol., datë 29.08.2013, lidhur mes firmës “Focus Group” të Fanes dhe ish-ministrit Florjon Mima.

Pazari i Irfanit me Saliun zgjati 3 muaj, sepse më 10 dhjetor 2013, kryeministri Rama, urdhëroi ministrin Arben Ahmetaj, t’i anulonte kontratën Irfanit e ta lironte konviktin brenda 10 ditësh.

Pas këtij ulitimatumi, në lojë u fut Ilir Meta, aleati i Edi Ramës, dhe urdhri për lirimin e konviktit u anulua, duke lënë Irfanin ta mbante konviktin në përdorim.

Ndërsa më 12 mars 2014, Edi Rama, për të justifikuar pazarin me Irfanin e Ilirin, miratoi një vendim qeverie, për kalimin e konviktit në pronësi të Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale; ndërsa pas kuintave, urdhëroi ish-ministrin Erjon Veliaj, t’ia linte përsëri Irfanit me rinovim të kontratës që i kishte lidhur Saliu, madje duke i shtuar dhe 5 vite të tjerë (35 vite).

Mirëpo tani pas 9 vitesh, thuhet se Edi Rama ka vendosur që godina 5 katëshe e Konviktit të Gjuhëve të Huaja, t’i ri-kthehet shtetit për nevoja të administratës apo Universitetit të Tiranës.

Sipas informacionit, shkak i ndërprerjes së kontratës dhe lirimit të godinës universiteti “Luarasi”, është fakti, se Irfani e ka përfituar në shkelje të VKM nr. 529 datë 8.6.2011 “Për përcaktimin e kritereve dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteoze apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”.

Por dhe për kleçkat e tjera, se Irfani nuk ka zbatuar kontratën, duke mos paguar prej 4 vitesh qiranë 300 lekë/m2 në muaj; nuk ka plotësuar dokumentacionin e përpiluar përpara lidhjes së kontratës; ka bërë ndërhyrje strukturore pa leje brenda objektit dhe ka bërë shtesë 800 m2 jashtë projektit.

Kujtojmë, se edhe Sali Berisha, me Urdhër nr. 2108, datë 2.7.2012, bëri bllokimin e dhënies së konviktit me qira dhënë nga ish-ministri Nasip Naço i LSI, me motivin se ishin bërë akte të paligjshme.

Por pas 1 viti, me Shkresë Nr 2334, datë 30.7.2013, Saliu e zhbllokoi kontratën për qiranë e konviktit dhe më 28 gusht 2013, vetëm 10 ditë para dorëzimit të detyrës, i lidhi kontratën Irfanit.

Madje në një nga pikat e kontratës, është ky favor që ka bërë Sali Berisha dhe u la në fuqi nga Edi Rama: Nëse ministrisë nuk i nevojitet objekti, Irfani mund ta blejë 100 mijë Euro.

Këtë hajdutëri, ka detyrim ta hetojë SPAK, madje edhe faktin, që me të njëjtin marifet e pazare me Edi Ramën dhe Ilir Metën, Irfani ka “kafshuar” para 6 vitesh dhe disa sipërfaqe te magazinat e Konvikteve të Shkollës Elektrike pranë “Burgut 313”, ku “Irfani i Tmershëm”… duhet çuar.

Hapësirën 4000 m2 plazh të uzurpuar me resortin “Prestige”, Babloku e “çliroi” në fund të sezonit turistik, ndërsa konviktin e uzurpuar me universitetin “Luarasi”, paska vendosur ta “çlirojë” para fillimit të vitit akademik.