
Shqiptarët po braktisin punën në Greqi për të shkuar drejt vendeve të tjera të Evropës dhe Britanisë. Sipas mediave greke, kultivuesit e ullinjve janë në hall të madh këto kohë pasi rrezikojnë të mos mbledhin prodhimet e tyre për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
Ata thonë se për vjeljen e plotë të ullinjve kanë nevojë për 10000 punëtorë, por këtë vit kanë më pak se 5000 pasi mungojnë shumë punëtorë, e kryesisht sezonalë që vinin nga Shqipëria.
Në prefekturën e Halkidikit ka afërsisht 140 mijë hektarë ullinj, të cilët çdo vit prodhojnë nga 80 mijë deri në 150 mijë ton ullinj të ngrënshëm. Por këto ullinj ka gjasa të mbeten në pemë pasi mungon forca punëtore për t’i vjelur.
Arsyeja e mungesës së madhe të fuqisë punëtore këtë vit është hezitimi i punëtorëve bullgarë dhe shqiptarë që tradicionalisht mbulonin këto nevoja bujqësore. Presidenti i Qendrës së Punës të Halkidikit, Christos Euframidis thotë:
Gjatë pandemisë, për punëtorët ballkanikë u bë shumë e vështirë hyrja në vendin tonë (mbyllja e kufijve, testi pcr) dhe shumë u kthyen në tregjet e Gjermanisë, Francës, Anglisë dhe Italisë. Pagat ditore atje janë më të larta dhe tani ata zgjedhin të punojnë atje.
Ndërsa shton se grekët në rajon vitet e fundit i janë drejtuar turizmit.
Grekët nuk shkojnë në fusha për të punuar ndërkohë që edhe shqiptarët janë pakësuar. Ata janë aktivë në vendin e tyre edhe në fushën e turizmit, ndërsa bullgarët shkojnë atje ku ka rrogë më të mirë. I riu nuk do të vijë në punë për 20-25 euro në ditë.
Sipas punëdhënësve pengesë është bërë edhe burokracia e autoriteteve greke që nuk e thjeshtojnë procesin e ftesës së punëtorëve të huaj.
Një pengesë për gjetjen e punëtorëve është burokracia nga ana e autoriteteve greke, të cilat nuk e thjeshtojnë procesin e ftesës së punëtorëve. Të ftosh punëtorët emigrantë kushton 110 euro për çdo fermer, ndërsa në Itali gjërat janë më të thjeshtuara.
Sipas një raporti të Ministrisë Greke të Migracionit dhe Azilit, gjatë muajit gusht të këtij viti ka rezultuar se 291.868 emigrantë shqiptarë kanë patur një leje qëndrimi të vlefshme në Greqi dhe ata përbëjnë 61.4% të të huajve të rregullt.