Berisha: Shumë shpejt do u prijmë protestave, qytetarët po presin të ngrihen

Një parodi e konsideron kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thirrjen e sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi në SPAK. “E patë, njeriu absolutisht i dytë më përgjegjës për këtë aferë 420 milionë hyri dhe doli serbes sikur të ishte në një kafene te ‘skap-i’ i partisë”, u shpreh Berisha. Sipas kryedemokratit, Agaçi dhe Edi Rama janë fajtorë kryesorë në çështjen e inceneratorëve. Ai theksoi se PD-ja shumë shpejt do u prijë protestave pasi qytetarët po presin të ngrihen.

“Qytetarët po presin të ngrihen dhe ne shumë shpejt do u prijmë protestave të fuqishme. Nuk mundet kush kurrë të tallet më me mundin, djersën, kafshatën e qytetarëve shqiptarë. Ajo që ndodhi me Ëngjëll Agaçin ishte një parodi tallëse e ‘skap-it’ të partisë me qytetarët shqiptarë. Denoncoj publikisht këtë qëndrim dhe u them shqiptarëve se përgjegjës absolutë, të parët për aferën e djegësve janë vetëm dy, Edi Rama dhe Agaçi, Agaçi dhe Edi Rama që firmos për xhepat e tij fap-fap-fap dhe paf-paf-paf. Pra që firmos ato që i stis Agaçi për të mbushur valixhet me Euro”, u shpreh Berisha.

Gjatë një deklarate nga selia blu, Berisha mbështeti pedagogët që iu përgjigjën thirrjes së sindikatave për të protestuar. Kryetari i selisë blu e konsideron cinik, arrogant dhe të papërgjegjshëm qëndrimin e qeverisë ndaj sindikatës së universiteteve. Ai bëri thirrje për plotësimin e kërkesave të tyre ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin kauzën e pedagogëve.

“Pas një qëndrimi, cinik dhe arrogant të papërgjegjshëm të qeverisë sindikata vendosi të thërrasë për bojkot të mësimeve në universitetet e vendeve. Ky vendim është jashtëzakonisht i rëndësishëm i cili synon të parandalojë shuarjen e universiteteve tona. Pedagogë, punonjësit studentët e universiteteve nuk po kërkojnë asgjë tjetër veçse ato që sot gëzojnë kolegët e tyre të universitetit të Prishtinës.

Pra e vërteta është që para ka, por ato nuk shkojnë në detinacionin e duhur, nuk shndërrohen në rroga, në bursa, në pensione për punonjësit në Shqipëri, por shndërrohen në fonde që vidhen dhe shpërdorohen nga qeveritarët”, u shpreh Berisha.