Gati për t’u lëshuar në hapësirë’, Rama publikon foton e satelitëve: Dy sytë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësia

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar foton e dy satelitëve ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’, ndërsa njofton se janë gati për t’u lëshuar në hapësirë. Rama shkruan se ato do të lëshohen në hapësirë nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA. Përmes një postimi në ‘Facebook’, kryeministri i cilëson sy satelitët, si sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësia.

“GATI PËR T’U LËSHUAR në hapësirë nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA, dy sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësitë, me një precizion të lartë dhe qartësi të plotë figure deri në 75 cm2; Satelitët e ALBANIA 1 dhe ALBANIA2

Shqipëria do të ketë përdorim ekskluziv të tyre, për përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj, e një sërë institucioneve e subjekteve, publike ose private, puna e të cilave lidhet me territorin, ujërat, pyjet, zjarret, mbetjet urbane, prodhimin bujqësor, zhvillimin urban, titujt e pronësisë, e me radhë”, shkruan Rama.