Dy armë zjarri pistoleta janë gjetur të fshehura nga Policia e Tiranës në makinën e ish-deputetit Mark Frroku. Në momentin e kontrollit të mjetit model Seria 7, Mark Frroku nuk ndodhej në makinë dhe autorësinë e ka marrë shoferi i tij, shtetasi Albert Prendi.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin “Migjeni”, një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Albert Prendi, 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ka njoftuar dje Policia e Tiranës, duke shpërndarë dhe videon e arrestimit të shoferit.
Raportohet se mjeti me targë AA008EJ është në pronësi të ish-deputetit Mark Frroku dhe ky i fundit në momentin e kontrollit të ushtruar në bulevardin “Migjeni”, nuk ishte i pranishëm. BMW seria 7 drejtohej nga shoferi personal, Albert Prendi.
38 vjeçari ka pranuar gjatë marrjes në pyetje se armët i përkisnin atij. Mirëpo, Policia Kriminale ka kërkuar kryerjen e ekspertimit balistik dhe daktiloskopik të pistoletave, për të mësuar nëse ato janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Dy armët e zjarrit janë gjetur në strukturën e brendshme të makinës dhe jo në trupin e shoferit Albert Prendi, ndaj Policia kërkon të zbulojë nëse ato i përkisnin realisht atij, apo janë përdorur nga persona të tjerë të cilët mund të kenë lënë dhe gjurmë.
Kujtojmë se mandati si deputet i Mark Frrokut u la përgjysmë pas akuzave për një vrasje në Belgjikë. Por, Marku, i martuar me Rudina Dembacajn, u shpall i pafajshëm për vrasjen, por u dënua vetëm për fshehje pasurie dhe ndërtim të paligjshëm.
Emrin e tij në listën e PKD-së për deputet e pasonte i vëllai, Arben Frrok, cili rezulton ende në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi Apeli i Krimeve të Rënda e ka dënuar me burg për jetë në lidhje me vrasjen e Komisarit, Dritan Lamaj.
Në vitin 2014, Mark Frroku, duke pasur imunitet si deputet, strehonte dhe lëvizte në makinën e tij trafikantin Bardhok Pllanaj, i cili kërkohej nga drejtësia për trafik droge.
Policia nuk mund ta arrestonte Pllanaj pasi makina e Frrokut nuk mund të kontrollohej. Pllanaj u arrestua në vitin 2018, doli nga burgu dhe u ekzekutua vitin e kaluar.