KE publikon sot raportin për Shqipërinë, korrupsioni mbetet shqetësim serioz

Komisioni Europian  publikon këtë të mërkurë draftin e  vlerësimeve mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugën e reformave që lidhen me procesin e integrimit.

Në projekt-raport, rezulton se korrupsioni vijon të konsiderohet një shqetësim serioz, ndërsa vendi paralajmërohet se nismat për aministinë fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta” rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit Europian.

Sa i përket kritereve politike, në raportin e KE-së vihet në dukje se “konflikti i brendshëm brenda partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike, ndikoi në jetën parlamentare.”

Qeveria kritikohet për krijimin e disa agjencive qeveritare në varësi të Kryeministrisë, pa një kornizë gjithëpërfshirëse drejtuese dhe pa një vëmendje sistematike ndaj linjave të mbikëqyrjes dhe raportimit” gjë që sipas Komisionit “ngre pikëpyetje në lidhje me standardet e administratës publike.

Sipas Komisionit “pavarësisht disa përparimeve, korrupsioni mbetet një fushë me shqetësim serioz.”

Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë. Në të njëjtin nivel konsiderohet të jetë dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Komisioni paralajmëron se “Shqipëria duhet të heqë dorë nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve, përmes pasaportave të arta, pasi do të paraqiste rreziqe, sa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me normat e BE-së.”

Po ashtu, Shqipëria paralajmërohet dhe sa i përket nismës tjetër të qeverisë për aministinë fiskale.

Asaj i kujtohet se është “në listën gri” sa i takon luftës kundër financimit të terrorizmit dhe kundër pastrimit të parave, e për këtë arsye “duhet të zbatojë elementët e mbetur të planit të veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it, mund të rrezikojë përparimin në këtë fushë”.

Fusha ku Shqipëria vlerësohet se “nuk ka bërë përparim”, është ajo e lirisë së shprehjes.