Krizë për punëtorë, sipërmarrësi thirrje studentëve: Punoni dy ditë në javë tek unë, u jap 100 euro

 

Diku në kufi mes Lushnjës dhe Fierit, në lagunën e Karavastasë, gjenden me mijëra hektarë tokë djerrë, sepse kripësia nuk lejon rritjen e bimëve.

 

Por, guximi gati aventuresk, kombinuar me një sistem të ri kultivimi, po e kthen këtë hapësirë të vdekur në “ar”, duke u dhënë jetë parcelave të stërmëdha me shegë dhe goji berry.

Shpëtim Oseku, investitor në këto fusha thotë në një intervistë për A2 CNN se deri tani ka mbjellë 100 hektarë, por plani është për të mbjellë edhe 500 të tjerë. Dëshira për të investuar në zgjerim nuk mungon.

Fundja, kërkesa në tregun e jashtëm e lejon këtë ambicie. Por ka një problem… nuk ka krahë pune. “Kam mbetur me 20 punëtorë. Më të rinjtë janë 50 vjeç”, tregon ai. “Edhe ata nuk kanë nevojë, vijnë për të kaluar kohën, sepse kanë fëmijët jashtë”.

 

Mungesat po pengojnë seriozisht shfrytëzimin e potencialeve për zgjerim të ekonomisë. “Këto parti që mbledhin për demonstrata, pse nuk mbledhin njerëz për të punuar.

 

Si mund të mbledhin? Shansi më i madh për të punuar, ka një institut bujqësor? Po le të vijnë të bëjnë praktikën. A u çuan studentët dhe kërkojnë nga 100 euro? Të vijnë të punojnë nga dy herë në javë tek unë, ua jap unë 100 euro”, thotë ai.