Ndonëse Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë emrat më të lakuar të SPAK, prokurorët e posaçëm kanë zgjedhur të heshtin për morinë e dosjeve dhe kallëzimeve që janë dorëzuar ndaj tyre, të paktën deri më tani.
Kreu i SPAK, Arben Kraja që është drejt përfundimit të mandatit si drejtues i strukturës ka deklaruar se institucioni që drejton vepron në bazë të kallëzimeve dhe provave.
Për të paktën dy dosje, një për Ilir Metën dhe tjetrën për Monika Kryemadhin SPAK i ka që të dyja; si kallëzimet ashtu edhe provat.
Ish-deputeti Halit Valteri dorëzoi në fillim të qershorit dosjet voluminoze me akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës dhe bashkëpunëtorëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë në ish-LSI-në e transformuar në Parti të Lirisë për paratë e lobimit në SHBA.
Në kallëzimin e tij, ish-deputeti tha se mori shkas nga publikimi i një artikulli nga gazeta më e madhe austriake, “Kronen Zeiting” e cila e përshkruan Ilir Metën si thelbësisht të korruptuar. Gazeta u referohet dokumentacioneve nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA.
Dokumentacionet flasin për mijëra dollarë që Ilir Meta ka derdhur pothuajse çdo vit të paktën deri në 2018-n për të lobuar në Kongresin dhe administratën amerikane. Pjesa më e madhe e këtyre parave nuk janë deklaruar te shpenzimet e partisë në raportet e bilanceve vjetore që ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Shmangia e këtij detyrimi ligjor ngre dyshime mbi burimin e vërtetë të këtyre të ardhurave. Valteri i kërkon SPAK-ut që të hetojë dhe verifikojë nëse këto para kanë burim korrupsionin, apo jo. Por, skandali më i madh lidhet me lobimin prej 700 mijë dollarësh me kompaninë Dorelita Limited, e regjistruar në Qipro, njohur si parajsë fiskale.
Përfaqësuesi i kompanisë është avokati grek, Iraklis Fidetzis dhe ka dyshime se ky kontakt është siguruar nga Vangjel Tavo, ish-deputet i LSI-së për Qarkun e Gjirokastrës. Në të dyja rastet, burimi i parave është i dyshimtë.
Kësaj padie i shtohet edhe ajo ndaj Monika Kryemadhit e avokatit Idajet Beqiri. Ky i fundit kërkon nga prokurorët që të verifikojnë akuzat mbi shpenzimet për operacione estetike që ish-kryetarja e LSI-së ka kryer në San Marino. Shuma që përflitet se ajo ka shpenzuar ndër vite mund të jetë deri në 1 milionë euro.
Sipas gazetarit Adriatik Doçi, Kryemadhi ka qenë kliente që prej vitit 2004 e një klinike estetike të kushtueshme në San Marino, por në asnjë rast nuk ka deklaruar faturat e shpenzimeve në këtë klinikë, ashtu siç e detyron ligji për konfliktin e interesit.
Monika Kryemadhi vetë e ka pranuar se ka qenë për vizitë në këtë klinikë, por thotë se arsyet kanë qenë për një sëmundje që ajo vuan prej kohësh, jo për operacione estetike.
SPAK i duhet që të verifikojë se sa janë realisht këto shpenzime, duke marrë të dhënat nga klinika në fjalë në bashkëpunim me autoritetet e San Marinos. Është çështje proceduriale dhe jo aq ‘komplekse’, siç thuhet rëndom nëpër njoftimet e Prokurorisë së Posaçme për dosjet që po heton.
Por, si në rastin e Ilir Metës, ashtu edhe në atë të Monika Kryemadhit SPAK nuk është ndjerë duke lënë pa përgjigje pyetjet mbi burimin e parave që LSI ka lobuar në SHBA, a qëndron Ilir Meta pas lobimit të kompanisë Dorelita Limited dhe a ka shpenzuar Monika Kryemadhi para për operacione estetike në San Marino dhe nëse po sa.
Në të dyja rastet janë një mori ligjesh e nenesh të shkelura, që nga mosdeklarimi dhe fshehja e të ardhurave, korrupsioni potancial në krijimin e tyre e deri te ligji për konfliktin e interesit.
Për shumicën e qytetarëve shqiptarë këto pyetje janë retorike dhe e kanë përgjigjen brenda. Por, që ato të kenë vlerë ligjore përgjigjen duhet ta japë SPAK, që sot në lidhje me këto çështje është ‘as mish dhe as peshk’. Çështjet janë edhe një testim mbi besimin që qytetarët i kanë dhënë këtij institucioni, ku prokurorët paguhen deri në gjashtë herë më shumë se paga mesatare e vendit.
Pse janë test? Provat për të dyja rastet janë publikuar edhe në media, kur ndër të parët ka qenë edhe Vox News. Por, atë që kanë bërë gazetarët me një kërkim të thjeshtë në faqen zyrtare të Departamentit të Drejtësisë së SHBA, SPAK me burime logjistike, financiare e njerëzore disa herë më të fuqishme deri më tani ose s’e ka bërë, ose e ka bërë dhe po hesht.
Cilado qoftë arsyeja, ajo rëndon mbi besueshmërinë e këtij institucioni, prandaj është koha që SPAK të flasë.