Pa asnjë post në parti, flet për herë të parë Arben Ahmetaj: Nuk shqetësohem nga akuzat e PD dhe PL, unë dhe PS jemi NJË

Pas largimit nga postet e rëndësishme qeveritare Arben Ahmetaj reagon për herë të parë.

Ai ka thënë se vendimin e kryesisë së Partisë Socialiste për t’i hequr së fundmi edhe drejtimin politik të qarkut të Vlorës, e priti me kënaqësi, duke shtuar se nuk shqetësohet nga akuzat e PD dhe LSI.

Ndërsa largimin e radhës edhe nga detyra si drejtues brenda partisë, pasi në korrik u shkarkua nga zëvendëskryeministër dhe ministër shteti për rindërtimin, Arben Ahmetaj thotë në një intervistë për “Vizion Plus” se është proces i zakonshëm riorganizimi.

“Me shumë kënaqësi. Riorganizimi është normal, ndodh shpesh, ka ndodhur, do të ndodhi, nuk ka ndonjë gjë të re”- ka thënë deputeti i PS.

I pyetur nga gazetarja Enkelejda Mema, nëse “zhveshja” e tij nga çdo funksion qeveritar dhe partiak nënkupton një distancim të mazhorancës qeverisëse, Ahmetaj tha se ai dhe Partia Socialiste janë “një”.

“Unë dhe Partia Socialiste dhe të gjithë kolegët jemi një. Këto janë vetëm telenovela, por si duket nuk ka lajme, ka nga këto lajme kështu, që nuk e ngrefin dhe ndoshta ju kërkoni këto lajmet e vogla që ndoshta e ngrefin” u shpreh Ahmetaj.

Ish numri dy i qeverisë e përjashtoi mundësinë se mosmbajtja e asnjë detyre kryesore lidhet me aferën korruptive të inceneratorëve.

“Çfarë lidhje kam unë me inceneratorët. Ato janë vepra në ndërtim, çfarë ka ketë lidhje, më thuaj si e lidh ti?”- tha ai.

Pyetje: Për aq kohë sa LSI dhe Partia Demokartike në akuzat e tyre ju kanë përmendur emrin tuaj.

Ahmetaj: Emrin, kanë përmendur edhe tëndin, edhe të të gjithëve. Unë nuk dua t’ia di se kush e përmend emrin tim, nuk është se më emocionon ndonjë gjë. Është çështje që është në diskutim në institucionet përkatëse. Ju doni të bashkoni pika që nuk ekzistojnë.”- përfundoi Ahmetaj.

Ish ministër i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tashmë nuk ka asnjë funksion në Partinë Socialiste, përveçse si deputet i kësaj force politike. Në vend të tij, në Vlorë shkoi si drejtues politik ish-ministri Blendi Klosi.