“Revolucioni digjital ka zhdukur korrupsionin”
Duke ju referuar të dhënave të publikuara nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital të vendeve anëtare, Kryeminitri Rama thotë se Shqipria ia ka dalë të renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për Shërbimet Publike Online.
Një lajm i mirë ky sipas kreut të qeverisë që fakton se “Shqipëria e sporteleve me hekura, e turmave nëpër radha për të marrë një copë letër, e bakshisheve për çdo shërbim në sportel i takon të shkuarës”.
Kryeministri pranon se ka ende shumë për të bërë kundër korrupsionit dhe për forcimin e administratës, por shton se përmes ofrimit online të 1225 shërbimeve publike vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin, duke u ngjitur në pozicione që deri para disa vitesh as mund të imagjinoheshin, në rrugën e revolucionit dixhital.
“Shumëkush flet përçart për sulmin kibernetik mbi Shqipërinë, duke harruar dy fakte të thjeshta, e para se jemi sulmuar pikërisht ngaqë jemi zhvilluar (po të ishim akoma me sportele në shi e në diell, s’do na sulmonin dot) dhe e dyta, se sulmi ka dështuar pikërisht sepse kemi investuar si duhet, duke bërë shumë me pak, e duke u renditur ndër vendet më të zhvilluara për shërbimet publike online.”
Ndërsa në një tjetër postim kreu i qeverisë publikon foto të radhëve të së shkuarës nëpër sportele dhe thotë se është në natyrën e njeriut ta harrojë shpejt të keqen, por sot, ata që sipas tij hedhin romuze i marrin shërbimet online pa mbajtur radhë e pa nxjerrë asnjë lek nga xhepi.