“Shumë do të vijnë pa bileta”, Bajrami tregon organizimin e “TKZ”-së: I kemi gati koreografitë për Kombëtaren

Edhe pak ditë e ndajnë Shqipërinë nga ndeshja e parë në Kampionatin Europian. Interesimi i tifozëve shqiptarë për të mbështetur nga afër Kombëtaren në Gjermani është tejet i lartë. Grupimi “Tifozat Kuq e Zi” do të jenë të pranishëm në stadium, ku do të shpalosin edhe koreografitë e tyre. Këtë e ka bërë të ditur një prej anëtarëve të këtij tifo-grupi, Gëzim Bajrami. Ai është shprehur se organizimi nuk ka qenë i vështirë për “Tifozat Kuq e Zi”, të cilët i kanë marrë të gjitha masat për të përkrahur në mënyrën më të mirë të mundshme ekipin kombëtar.“Padyshim që kjo ngjarje do të jetë diçka më e mirë dhe më e jashtëzakonshme, por për organizimin dhe udhëtimet e tifozëve nuk e kemi problem, sepse ne Kombëtaren e kemi mbështetur me rezultat e pa rezultat, pavarësisht se si kanë shkuar gjërat, ne e kemi treguar veten tash e sa vite. Edhe kësaj here ne do të jemi mirë të organizuar, kemi bërë organizime në çdo qytet që kemi ndeshje. E vështirë nuk ka qenë shumë, sepse ne kemi anëtarë gjithandej, në këtë rast Gjermania, ne kemi anëtarë edhe atje. Kësaj here ata kanë qenë më të angazhuar, por që padyshim edhe ne nga këtu i kemi ndarë punët tona. Pra jemi gati, jemi shumë mirë në këtë drejtim.Ne si “Tifoza Kuq e Zi”, mesazhet tona dhe ato qëllimet që i kemi, jemi munduar që  t’i ndjekim në atë rrugë. Pavarësisht se ku jemi, në Tiranë, Dortmund apo në një qytet tjetër, ne mesazhet tona jemi munduar t’i japim dhe me t’i shfaqim. Për në Dortmund dhe qytetet tjera, koreografitë dhe mesazhet janë gati, normalisht që është më interesant dhe më sfiduese përballë Spanjës, Italisë apo Kroacisë, duke e ditur se çfarë tifozësh kanë. Por prapë se prapë, mesazhet tona, koreografitë dhe organizimin tonë e kemi bërë në bazë të planit se si e kemi. Nuk ka qenë diçka e vështirë, kuptohet që ka pak më shumë rëndësi, idetë e mesazheve dhe koreografia do të jetë pak më ndryshe, por që nuk kemi pasur probleme. I kemi parashikuar të gjitha mënyrat se çfarë mund të ndodhë aty dhe me çfarë problemesh mund të ballafaqohemi. Ka shumë që vijnë pa bileta”, ka thënë Gëzim Bajrami, përcjell “LIG Sport”